Dy fjalë për autorin

Shefqet Jashari-STROFCI u lind më 15 maj 1944 në fshatin Strofc, të komunës së Vushtrrisë. Pas shkollës fillore dhe të mesme, kryen Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë (1968-1970). Gjatë viteve 1970-1997 ka punuar si mësues i Gjuhës dhe Letërsisë shqipe në shkollën fillore ,,Liria’’ në Gurakuq (Gllovotin) dhe në Strofc, prej ku u largua si i pa përshtatshëm ideo-politikisht.  Gjatë  vitit 1978-79 punoi në fabrikën e konfeksionit ,,Polet’’ të Vushtrrisë dhe në Elektroekonominë e Kosovës si përkthyes.

Më 1964 dënohet me tri vjet burg nga Gjykata Supreme e Kosovës si anëtarë i organizatës së LRBSH-së. Në vitin 1980 dënohet prapë, kësaj here me 8 vjet burg, si veprimtarë i organizatës LNÇKVSHJ-së. Në verën e vitit 1988, për t’i ikur izolimit dhe burgosjes së mëtutjeshme, largohet nga Kosova për në Kroaci, ku punon si punëtor në ndërmarrjen ndërtimore,,Bosna’’në Zagreb. Në janar të vitit 1990 largohet për në Zvicër ku kërkoi strehim politik.

Në shtator të vitit 1990 në La Chaux-de- Fonds, në qytetin ku jetonte hapi një klasë mësimi për nxënësit shqiptar. Me krijimin e LAPSH-it në Zvicër, si institucion arsimor i Republikës së Kosovës, Shefqeti iu bashkëngjit duke punuar për tetë vite në shkollën shqipe të mësimit plotësues.

Me themelimin e Degës së LDK-së në Zvicër, së bashku me veprimtarë të kantonit të Neuchatel-it e formojnë Nëndegën e LDK-së në Neuchatel, ndërsa më 1994 e hapin Klubin shqiptar,, Metush Krasniqi’’ në La Chaux-de-Fonds.  Më 1998 me veprimtarë të diasporës shqiptare të Zvicrës e formojnë Bashkësinë shqiptare në Bernë.

Në qershor të vitit 1998 Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës kolonel Ahmet Krasniqi e cakton gazetar në Drejtorin Informative të Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë.

Më 2007 me veprimtarë që punojnë në  Zvicër e themelojnë shoqatën bamirëse ,,Japim për Zotin’’ me seli në Le Locle.

Prej vitit 1994 merret me publicistikë. Librin e parë ,, Pse jemi kështu siç jemi’’e botoi më 2001. Librin e dytë, ’’Që të shpëtojë Kosova’’e botoi më 2005. ndërsa libri i tretë ,,Kriminelët janë të humbur, përfundim i keq po i pret!’’e  botoi në  maj të 2015.

Në librat e Strofcit, janë të përfshira me besnikëri të gjitha ngjarjet e hidhura që ndodhën në hapësirën tonë kombëtare gjatë dhjetvjetshit të fundit të shekullit 20 dhe këtyre viteve të para të shekullit 21. Tani jeton dhe punon në Kosovë dhe në Zvicër. 

 

 

Shtrohet pyetja: Jemi apo nuk jemi ne ata shqiptarët e para viteve të ‘‘90-a, jemi apo nuk jemi ne ata shqiptarët e viteve ’‘98/99-a, kur secili prej nesh, në një mënyrë apo në një tjetër, me përjashtim të njerëzve të sëmurë e të çartur për pushtet dhe  kolltukë,  punuam pa u kursyer për realizimin e synimeve tona madhore.

 

Për shqiptarët që dinë të mendojnë, ende nuk ka përfunduar lufta.  Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Viset tjera shqiptare kanë nevojë për njerëz të idealeve të larta, njerëz që në emër të Zotit, ( jo në emër të karrieristëve dhe spiunëve të ndryshëm)  punojnë për të dalë në shesh e vërteta, për të fituar drejtësia.

Shqiptarët kanë shumë punë për të kryer, po që se donë të bëhen  qeveritarë të mirë të hapësirës së tyre kombëtare.

Me shqiptarë të lodhur e të uritur nga skamja e nënçmimi, me shqiptarë kameleonë e me shumë fytyrë, me shqiptarë të përçarë në baza partiake e regjionale, me shqiptarë të tjetërsuar e zemërgurë, me politikanë hajna e mafiozë, me spiunë dhe tradhtarë, shqiptarët nuk kanë kurrfarë shansi të ecin përpara drejt fitoreve të reja.

Shqiptarët duhet të ndryshohen rrënjësisht. Shqiptarët kanë nevojë për korrigjimin e veprimtarisë së tyre, çdonjëri duke u nisur nga vetvetja.

Ta besojmë, ta njohim dhe ta adhurojmë vetëm të Madhin Zot, duke e lutur që të na udhëzojë për punë dhe vepra të mbara. Ta lusim Zotin Fuqiplotë të na ndihmojë për ta hequr të keqen nga zemra. Të na ndihmoi Zoti i Gjithëmëshirshmi të pendohemi për fjalën dhe punën e keqe,  duke i kërkuar falje njëri-tjetrit. Të na ndihmojë All-llahu i Lartësuar, t'i zbusim zemrat, duke ua shtrirë dorën e ndihmës vëllazërore  jetimëve, të sëmurëve dhe  skamnorëve. Ta lusim Zotin e Gjithëdijshëm të na ndihmojë për ta thënë të vërtetën kurdoherë, edhe po që se ajo do të ishte kundër interesit tonë personal.

 

 

Fragment nga shkrimi: ,,Çka po ndodhë me shqiptarët’’