Artikujt e fundit te Shefqet Jashari Strofci

Si u përvehtësuan nga LPK-ja njësitë guerile të Llapit?

 

Botuar në Librin "Pse jemi kështu siç jemi?" - botimi i parë - 2002

Ismet Avdullahu që i përfaqësonte njësitë guerile të Llapit në Këshillin Kordinues, nga presioni që ishte nga Zahir Pajaziti për të siguruar mjete për njësitë guerile në Llap, dhe nga pamundësia të siguronte mjete të nevojshme, bëri një takim pa dijen e Sali Çekut me përfaqësuesin e LPK-së  Ali Ahmetin, në dimrin e vitit 1995. Siç thotë Ismet Avdullahu “edhe pse Ali Ahmeti na premtoi ndihma të mëdha materiale dhe armatime, nuk arritëm kurrëfarë marrëveshtje, pasi ai donte të dinte të gjitha fshehtësitë e organizimit tonë ushtarak, donte t’i dinte edhe bartësit e aksioneve guerile. Prapë sipas zotni Avdullahut, “Ali Ahmeti duke u lavdëruar se njerëzit e tyre i kanë kryer disa aksione atyre ditëve në Kosovë, u zu në rrenë pasi kishim informata të sigurta se ato aksione i kishin kryer njësitë guerile që i komandonin Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Salih Çeku”. Takimin e dytë në mes Ismet Avdullahut dhe Ali Ahmetit (Abazit), e organizoi Pajazit Jashari, në fillim të vitit 1996. Të dy palët u pajtuan që në Kosovë të  mbahet  një takim në mes përfaqësuesve të njësive guerile të Llapit dhe përfaqësuesve të LPK-së. Takimi u mbajt në parkun afër varrezave të qytetit të Prishtinës në vjeshtën e vitit 1996 në mes Zahir Pajazitit, Komandantit të njësive guerile të Llapit, Prishtinës dhe të Gjakovës, i cili kishte një përvojë të gjatë të organizimit legal dhe ilegal, pjesëmarrës në shumë aksione të armatosura kundër okupatorëve serb dhe zotëri N.N.-it, përfaqësues i LPK-së që nuk kishte njësi guerile, dhe as që kishte marrë ndonjëherë pjesë në ndonjë aksion të armatosur, por që e kishte përkrahjen e LPK-së me mjete financiare dhe materiale ushtarake. Takimi përfundoi me marrëveshje për bashkëpunim që do të sillte ndihmë reciproke me përvojë dhe materiale ushtarake. Zahir Pajaziti duke e parë nevojën dhe domosdoshmërinë e një bashkëpunimi në mes njësive guerile që vepronin në Kosovë e bindi N.N-në të organizojë një takim, ku do të merrnin pjesë përfaqësuesit e njësive guerile të Llapit, Drenicës dhe të Dukagjinit. Takimi u mbajt në Prishtinë dhe përpos Zahir Pajazitit dhe N.N-së në atë takim muarën pjesë edhe tre persona. Njëri me pseudonim “Mustafa” përfaqësonte LPK-në, ndërsa dy të tjerë përfaqësonin Drenicën dhe Dukagjinin. Në atë takim, që pjesëmarrësit e quajtën Grup Koordinues, u vendos të merrej një aksion në nivel të vendit. Disa ditë pas atij takimi më 11 shkurt 1996 njësitë guerile të Republikës së Kosovës kryen një aksion me bomba dore në disa qytete të Kosovës. (Podujevë, Prishtinë, Vushtrri, Pejë, Mitrovicë, Suharekë) në vendet ku ishin strehuar kolonë serb të ardhur nga Kraina e Kroacisë.Qëllimi i këtij aksioni nuk ishte për të vrarë dhe plagosur serb, por ishte thjesht për të mbjellë frikë dhe pasiguri tek kolonët serb dhe për t’ua bërë me dije se kishin ardhur në tokë dhe vend të huaj, prandaj nuk duhej të prisnin ndonjë prespektivë në Kosovën shqiptare. Pararoja staliniste e LPK-së, kryesia e Degës jashtë vendit, e gëzuar përtej mase, se më në fund, pas përpjekjeve disa vjeçare për t’i futur njerëzit e tyre në njësitë guerile të Republikës së Kosovës, arritën suksese konkrete. Kryesia e LPK-së me lëshimin e Komunikatës nr.18, në 14 shkurt të vitit 1996, njofton opinionin e gjerë se përgjegjësinë për aksionet e 11 shkurtit e merr UÇK-ja, e cila drejtohet nga’’Shtabi Qendror’’. Pra, siç po shihet, LPK-ja për herë të parë në opinion doli se UÇK-ja kishte edhe organin e saj komandues “Shtabin Qendror”. Pra “Grupin Koordinues” e shpallën Shtab Qendror, ndërsa siç dihet njësitë guerile të Llapit, Drenicës dhe Dukagjinit qysh më 1993 i patën shpallur “Ushtria Çlirimtare e  Kosovës”. Siç dëshmon Ismet Avdullahu, Kryesia e LPK-së nuk është konsultuar me anëtarët e Grupit Koordinues, kur e ka lëshuar Komunikatën nr. 18, pasi Zahir Pajaziti e paska pasë thirrur me telefon Ismet Avdullahun dhe i ka thënë: “Emër të madh na kini lanë, në këtë situatë që jemi, nuk kemi mundësi t’i dalim zot atij emri”. Kur Ismet Avdullahu i tregon se as ai dhe as një anëtar i Këshillit Koordinues nën udhëheqjen e Salih Çekut nuk është pyetur për asgjë, pra as për përmbajtjen e Komunikatës nr.18, nga përfaqësuesit e LPK-së, atëherë ai ka shprehur revoltën dhe  pakënaqësinë për vendime të njëanshme të LPK-së, që Këshillin Koordinues e kishte shpallur ’’Shtab Qendror’’, por edhe se kishte bërë përvetësimin e  aksioneve të kryera më parë nga njësitë guerile që i komandonin Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Sali Çeku. Sipas kësaj del se Zahir Pajaziti ka qenë i bindur se kur i është dhënë lidhja për takim me përfaqësuesin e LPK-së, janë rregulluar shumë çështje të bashkëpunimit në mes Këshillit Kordinues që e udhëheqte Sali Çeku dhe përfaqësuesve të LPK-së. Zahir Pajaziti, edhe pse nuk ishte i kënaqur me veprimet e LPK-së, nuk e prishi marrëveshjen për bashkëpunim duke shpresuar se do të tejkaloheshinn mosmarrëveshjet me anë të bisedimeve. Zahir Pajaziti në mbledhjen e parë të Grupit Koordinues që u mbajt pas shpalljes së komunikatës nr.18, ka shprehur paknaqësi lidhur me veprimet e LPK-së, dhe ka propozuar që në Evropën Perëndimore të formohet një Këshill Koordinues. Në përbërjen e tij do të ishin përpos antarëve të Këshillit Kordinues që u formua më 1993, me këtë përbërje: Sali Çeku udhëheqës i Këshillit, anëtarë Saim Tahiri, Zenun Idrizi, Ismet Avdullahu edhe persona nga LPK-ja të dëshmuar me vepra, se shqiptarinë e kanë ideologji dhe parti. Zahir Pajaziti ishte i bindur se formimi i një Këshilli Kordinues nga përfaqësuesit e njësive guerile të Llapit, Drenicës, dhe Dukagjinit (që komandoheshin nga Zahir Pajaziti, Adem Jashari, dhe Sali Çeku) dhe përfaqësuesve të LPK-së, që lavdëroheshin se kanë “njësi çlirimtare” do ta ndihmonte luftën çlirimtare në rend të parë duke mbledhur ndihma nga mërgimtarët. Po ashtu Zahir Pajaziti mendonte se ai Këshill do të luante rolin e një ndërmjetësuesi në mes subjekteve të krijuara në diasporë, për bashkimin e tyre me punë konkrete, sipas aftësisë dhe mundësisë për ta ndihmuar luftën çlirimtare. Propozimi i Zahir Pajazitit nuk u mor në konsideratë nga LPK-ja, por u kërkua që Grupi Kordinues (‘’Shtabi Qendror i UÇK-së’’) të dilte jashtë Kosovës, dikund në Evropën Perëndimore, pasi ishin të sigurtë se Zahir Pajaziti me karakterin e një burri të fortë e të vendosur, me autoritetin dhe respektin që gëzonte, jo vetëm në radhët e njësive guerile, por edhe tek përfaqësuesit e LPK-së që bënin pjesë në Grupin Koordinues (Shtabin Qendror të UÇK-së) nuk do ta lejonin pararojën staliniste t’i fuste hundët, aty ku nuk e kishte vendin, prandaj kërkesa e tyre për t’u larguar nga Kosova u kundërshtua nga ai me arsyetimin se “në Kosovë duhet të vijnë për të luftuar nga jashtë, e jo për të ikur nga ajo po sa ta kryejnë një aksion të armatosur”. Kur Kryesia e LPK-së nuk arriti ta largonte Zahir Pajazitin nga Kosova, që ishte pengesa kryesore për realizimin e qëllimeve të saj për ta marrë udhëheqjen e njësive guerile të Llapit, atëherë vendosën që përfaqësuesve të tyre në Grupin Kordinues (’’Shtabin Qendrorëtë UÇK-së’’) t’u caktonin detyra udhëheqëse. Siç tregon Ismet Avdullahu në një mbledhje të Këshillët Koordinues (SHQ të UÇK-së) N.N, i paska thënë “mua nga jashtë më kanë zgjedhur përgjegjës për mjete finansiare, ndërsa përfaqësuesi tjetër i LPK-së që mbante pseudonimin “Mustafa” ka pasë shtuar se “edhe mua më kanë zgjedhur nga jashtë përgjegjës për materiale luftarake”. Zahir Pajaziti e ka kundërshtuar një vendim të tillë të LPK-së, duke thënë se “Ne këtu e bëjmë luftën e jo ata jashtë, prandaj ne duhet të vendosim për çdo gjë, pra edhe për përgjegjësitë e çdo sektori dhe individi e jo ata nga jashtë”! Zahir Pajaziti duke pasur mungesa të mëdha të armatimit dhe materialeve ushtarake, nuk e ndërpreu bashkëpunimin me përfaqësuesit e LPK-së duke shpresuar se do ta ndihmojnë së paku luftën me mjete ushtarake. Pararoja staliniste i mori për vete dy sektorët më të rëndësishëm, atë të e financave dhe të logjistikës, pa funksionimin e të cilave as që mund të mendohej ndonjë sukses i rëndësishëm i luftës çlirimtare. Zahir Pajaziti pas gjithë këtyre manipulimeve që i bëri kryesia e LPK-së, kuptoi se qëllimi i tyre nuk ishte forcimi i luftës çlirimtare, por përvetësimi i njësive guerile të Republikës së Kosovë. Iu bë e qartë se LPK-ja nuk kishte njësi guerile dhe se bashkëpunimi me ta do të ishte i padobishëm. Përfaqësuesit e LPK-së i kanë ndihmuar njësitë guerile të Llapit me një kallashnikov, ndërsa ndihmat me të holla që i dhanë gjatë vitit 1997 ishin simbolike, pasi me to kanë mundur të blihen vetëm 4 kallashnikovë, asgjë më tepër.

Fundi i vitit 1996 ishte i suksesshëm për njësitë guerile të Republikës së Kosovës. Veçmas njësitë e komanduara nga Zahir Pajaziti u treguan shumë aktive dhe të suksesshme, por mungesa e armatimeve ishte një problem që nuk kishte si ta zgjidhte vetë Zahir Pajaziti. Në këto kushte tejet të vështira për njësitë guerile, Zahir Pajaziti kërkoi një takim me Ismet Avdullahun. Ai takim u realizua në  fund të dhjetorit të vitit 1996 në Tiranë. Në atë takim shqyrtohen shumë çështje që kishin të bënin me njësitë guerile, suksesi i tyre dhe bashkëpunimi me LPK-në. Siç thotë Ismet Avdullahu, “të dy ishim të bindur se bashkëpunimi me LPK-në ishte një hap i pa studjuar mirë, që çështjes kombëtare i ka sjellë dëme dhe asgjë të mirë”. Pas Vitit të ri 1997, Ismet Avdullahu u kthye në Zvicër, ndërsa Zahir Pajaziti mbeti ne Shqipëri derisa t’i siguronte ca mjete ushtarake me të hollat që ia kishte sjellë Ismet Avdullahu, dhe pastaj të kthehej në Kosovë. Ato ditë kishte qenë në Tiranë “Daja”, Azem Syla, i cili me ndërmjetësimin e  Qerim Kelmendit e bën takimin me Zahir Pajazitin. Zahir Pajaziti gjatë atij takimi shprehu pakënaqësinë e tij të thellë me veprimet e deritashme të LPK-së dhe i la të kuptonte se po qe se nuk ndërronin qëndrim dhe po të mos ndaleshin veprimet destruktive,  bashkëpunimi do të ndërpritej. Zahir Pajaziti u kthye në Kosovë më 20 janar 1977. Dëshironte të takohej me N.N-në, pasi ato ditë ishte bërë arrestimi i një grupi studentësh të Universitetit të Prishtinës. E thirri Ismet Avdullahun në telefon dhe e pyeti me “mesele” për N.N-në dhe kërkoi prej tij t’i jepte sa më parë përgjigje. Ismet Avdullahu e pyet Ali Ahmetin dhe e porosit t’i pyste shokët e N.N-së se mos ishte i burgosur nga policia serbe. Ali Ahmeti ka pyetur “Mustafën”, por ky nuk ka treguar të vërteten, edhe pse e ka ditur se N.N-ja, ishte burgosur. Përgjegja e tij kishte qenë kjo: “N.N-ja gjendet në Prishtinë dhe është i lirë, shëndoshë e mirë”. “Mustafa” nuk mund t’i ikë përgjegjësisë se ka marë pjesë tërthorazi në atentatin kundër Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, pasi e ka mbajtur të fshehtë faktin e burgosjes së N.N-it dhe pse e ka ditur se Zahir Pajaziti e ka ngarë rregullisht veturën e N.N-it.  Këto fjalë, Ismeti ia përcjell “me mesele” Zahir Pajazitit. Të nesërmen, më 31 janar të vitit 1997, Zahir Pajaziti behet gati të shkojë në Vushtrri për të biseduar me disa studentë për pranimin e tyre në radhët e njësive guerile dhe për të marrë një kallashnikov. Në veturën e N.N-it që e ngiste Zahir Pajaziti, hipën edhe Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha për ta shoqëruar .